Manchester, 4 nëntor - Futbollisti i Manchester Cityt, Yaya Toure ka deklaruar se skuadra e tij gjithnjë e më shumë po e merr mentalitetin e fituesit, të tillë çfarë e ka Barcelona.
Toure u transferua nga Barcelona në vitin e kaluar, me të cilën skuadër kishte fituar Ligën e Kampionëve dhe dy tituj të Primera Divisionit. Tash të njëjtën uri për trofe ai thotë se e ndjen edhe tek City, skuadër kjo që pas dhjetë javësh në Premiere League kryeson renditjen me pesë pikë më shumë se sa rivali lokal dhe kampioni aktual Manchester United.
"Ajo që duam është të kemi të njëjtin mentalitet sikur Barcelona. Të gjithë nga pak po e marrim atë mentalitet, kurse kjo është ajo që na duhet nëse dëshirojmë të fitojmë trofe”, ka theksuar Toure, për të shtuar: "Si futbollist duhet të jesh në gjendje gjithmonë për stërvitje, të jesh i përqendruar maksimalisht gjatë 90 minutave të ndeshjes dhe pastaj të rikuperohesh në mënyrë të shpejtë për të qenë i gatshëm për lojë pas tri ditësh. Ne duhet të vendosim presion mbi veten tonë, në mënyrë që të bëhemi fitimtarë. Në skuadrën e tanishme kemi futbollistë të aftë për këtë”.
|