Prishtinë, 5 nëntor - Kryeministri Hashim Thaçi përgëzon kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe besimtarët islamë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në mesazhin e urimit thuhet:
"Kjo festë lartëson shpirtërisht besimtarët islamë kudo në botë, duke forcuar vlerat e besimit në Zot, bashkon njerëzit në harmoni midis tyre, ngrit ndjenjat e solidaritetit ndërnjerëzor dhe zgjon idenë e sakrifikimit për të mirën e përgjithshme.
Festa e Kurban Bajramit e gjen Kosovën në rrugën e rritjes së mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim feje dhe etnie, ku respektimi i të drejtave dhe lirive njerëzore janë kushte themelore të demokracisë së shtetit tonë të ri.
Festa e Kurban Bajramit Kosovën e gjen si shoqëri me harmoni të plotë midis diversiteteve etnike, fetare dhe kulturore, duke respektuar vlerat universale, si kusht për integrim në institucionet euroatlantike.
Festa e Kurban Bajramit Kosovën e gjen si shtet të njohur nga shumë vende të demokracisë së zhvilluar dhe nga shtete anembanë botës, duke rritur së shpejti numrin e tyre, deri në anëtarësim të plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Sivjet Festa e Kurban Bajramit e gjen Kosovën me perspektivë edhe më të qartë të zhvillimit ekonomik, me forcim të pozicionit ndërkombëtar, si dhe me mbështetës dhe miq të fuqishëm në të gjitha sferat e jetës”.
|