Athinë, 5 nëntor - Qeveria e Papandreut mori 153 vota dhe 145 deputetë votuan "kundër”, gjatë votëbesimit që u krye pas mesnatës në Parlament dhe ku ishin të pranishëm 298 deputetë.
Në fjalën e tij para votimit, Kryeministri Papandreu përjashtoi zgjedhjet e parakohshme, por premtoi për të hapur rrugë bisedimeve për ndarjen e pushtetit me partitë e tjera.
"Vota e besimit është një mandat për krijimin e një qeverie të përkohshme, e cila do të sigurojë marrëveshjen e kredisë”, deklaroi Papandreu në fjalën e tij, duke iu hapur rrugën zhvillimeve të reja politike.
Papandreu bëri me dije se sot gjatë ditës, do të shkojë te presidenti i Republikës, që të fillojë procedurat për konsultimet mbi një qeveri të re me mbështetje të gjerë, madje për të folur edhe për përbërjen dhe emrin e kryeministrit të saj.
Papandreu theksoi se nuk mund të shkohet në zgjedhje, përpara se të garantohet marrëveshja e kredisë dhe para se të lirohet kësti i gjashtë duke përsëritur se personalisht nuk është i interesuar për karrigen, por për shpëtimin e vendit.
Papandreu tha gjatë fjalës së tij se marrëveshja e arritur me BE e bën më të lehtë udhën e Greqisë për vitet e ardhshme dhe hap rrugën për ndryshime pozitive.
Në Athinë, mijëra protestues ishin mbledhur në sheshin Sintagma ndërsa qeveria votëbesohej në Parlament dhe rreth ndërtesës siguria ishte rritur.
Udhëheqësit eurozonës kanë frikë se dështimi për të zgjidhur krizën greke borxhit mund të rrezikojë që kriza të përhapet në ekonomitë e tjera të rrezikuara, sidomos në Itali
|