Prishtinë, 20 nëntor - Koha Ditore në një shkrim analitik shkruan sot se subjektet më të mëdha politike parlamentare kanë marrë të shtunën pozicion kundër që t’i adoptohet Kosovës modeli shtetëror që ka Franca, e të cilin e ka proklamuar një ditë më parë kryetari i Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami. Përfaqësuesit e këtyre subjekteve duan një president jo të fuqishëm.
Që kjo të ndodhë, në PDK, LDK, VV e AAK kanë shtruar nevojën që krahas prekjes së Kushtetutës në pjesën që i referohet mënyrës së zgjedhjes së presidentit, të ndërhyhet edhe në nenin 84 ku parashihen kompetencat e tij. Përgjithësisht duanë vënien e kufijve midis përgjegjësive të kreut të shtetit dhe atyre të kryeministrit. Prandaj, shumica e tyre duan një president pa kompetenca ekzekutive.
Xhavit Haliti, deputet i PDK-së dhe nënkryetar i Kuvendit, ka shprehur vlerësimin se neni 84 i Kushtetutës i jep kompetenca shumë të mëdha presidentit dhe ka shprehur mendimin që ato nuk duhet shtuar.
"Me i dhënë kompetenca të tipit çfarë unë sot lexova, të Francës, unë mendoj që është shumë, sepse ne kemi republikë parlamentare dhe, në qoftë se duam me u kthye në republikë presidenciale, atëherë do të duhej që të kishim kaluar edhe në hapa, në të cilët kanë kaluar Franca dhe SHBA-ja”, ka thënë Haliti.
|