Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka pranuar se administrata publike e Kosovës është e politizuar, dhe si pasojë jo shumë efektive për të përmbushur nevojat e qytetarëve. Për këtë gjendje në administratën publike, ministrja Çitaku ka fajësuar të gjitha partitë politike që kanë qenë apo aktualisht janë në pushtet, përfshirë edhe subjektin që i takon, Partinë Demokratike të Kosovës. Çitaku i ka bërë këto komente të premten gjatë raportimit për Raportin e Progresit në mbledhjen e Komisionit parlamentar për integrime evropiane. Ajo me këtë rast tha se të gjitha vërejtjet e Raportit të Progresit të bëra nga Komisioni Evropian janë marrë në konsideratë nga Qeveria e Kosovës. Duke përmendur tri prioritetet strategjike të këtij raporti si: sundimin e ligjit, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, si dhe reformat në Administratën Publike, Çitaku tha se vet fakti që në vitin e kaluar në periudhën e raportimit, deri në shtator të këtij viti, nuk është shënuar suksesi dhe progresi i dëshiruar, atëherë kjo flet për një Administratë Publike jo të qëndrueshme dhe jo të mjaftueshëm profesionale, e cila në masë të madhe varet nga shtytjet politike që vijnë nga kabinetet e ministrave. Ministrja Çitaku theksoi po ashtu se sfiduese do të mbetet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, duke shtuar se parametrat flasin për një zhvillim dhe një rritje ekonomike. Si një lajm të mirë për anëtarët e komisionit ajo ceku procedimin e buxhetit të ri të Kosovës, duke sqaruar se kjo është harmonizuar me FMN-në. Në pyetjen se sa ka arritur Qeveria e Kosovës që ta bind BE-në se çështja e sundimit të ligjit është e lidhur me normalizimin e gjendjes në veri, dhe se nuk mund të ketë sundim të ligjit derisa nuk ka normalizim të gjendjes në veri, ministrja Çitaku tha se ky fakt është bërë i qartë se në pjesën veriore nuk ka demokraci, rend e ligj. "Kjo prodhon destabilitet për vendin dhe rajonin. Tashmë nuk ka hezitime nga vendet e BE-së se çështja e veriut duhet të trajtohet me prioritet. Do të ketë një agjendë më të intensifikuar përmes së cilës do të synohet dhe do të shtrihet rendi dhe ligji në vend”, tha ministrja e Integrimeve Evropiane.
|