"Ekziston rreziku që ndryshimi i kufijve të Kosovës do të hapte Kutinë e Pandorës në Ballkan”, shkruan gazeta amerikane Wall Street Journal. Evropa dhe SHBA me vite nuk kanë shprehur vullnet për të shqyrtuar ridefinimin e kufijve në Ballkan, për shkak të rrezikut nga konfliktet etnike dhe gjakderdhja. Mirëpo, kontesti i fundit midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë ka zbutur rezistencën e bashkësisë ndërkombëtare rreth kësaj ideje. Sipas gazetës, me këtë do të mund të shmanget eskalimi i mëtejmë i situatës, pas dhunës që ka shpërthyer këtë verë në pjesën veriore të Kosovës. WSJ rikujton se ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit në Evropën Juglindore, Erhard Busek, ka qenë i pari që ka përmendur konceptin e ndryshimit të kufijve, ndërsa më pas kongresisti amerikan Dana Rohrabacher ka propozuar shkëmbimin e territoreve dhe të popullsisë midis Serbisë dhe Kosovës. "Megjithatë, derisa këto ide mund të nxisin mundësinë e ndryshimit të politikës ndërkombëtare, ekziston rreziku që ndryshimi i kufijve të Kosovës do të hapte Kutinë e Pandorës në Ballkan”. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, por ai gjithashtu ka hedhur poshtë edhe idenë për dhënien e statusit special apo autonomi për serbët në Kosovë. "Derisa ndryshimi i kufijve mund të shihet si rrezik, vazhdimi i situatës së status quos është shumë i rëndë dhe është më se e qartë se Beogradi dhe Prishtina mund të prodhojnë zgjidhje të reja”. Gazeta amerikane përmend idenë e federatës midis Kosovës dhe Serbisë, një ide që siç thuhet ishte plasuar nga ministri serb Ivica Dacic. "Derisa koncepti i federatës nuk do t’i pëlqente as Beogradit dhe as Prishtinës dhe mund të duket i rëndë për tu zbatuar, një shtet federal nën kujdesin e plotë të BE-së do të bënte që të dyja palët të heqin dorë nga pozicionet ekstreme dhe të vazhdojnë të gjejnë kompromise kreative”, përfundon Wall Street Journal.
|