Tiranë, 1 nëntor - 14 personalitete të artit dhe letrave në Shqipëri tërhoqën mbrëmjen e djeshme trofeun e Çmimit Kult 2011 në 12 kategori të artit si dhe 2 çmime speciale u akorduan për dy prurje të veçanta gjatë vitit 2010, raporton ATSH.
Aktorja e vitit u zgjodh Eftiola Laçka për interpretimin e rolit të Thjeshtrës në verpën e Çehovit "Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, ndërsa aktori i vitit u zgjodh Bujar Asqeriu për rolin e doktor Gurametos në shfaqjen teatrore "Darka e gabuar”.
Mehmet Xhelili tërhoqi trofeun e regjisorit më të mirë për shfaqjen "Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, Kujtim Gjonaj atë të filmit më të mirë të shkurtër për "Ëndrra e Çamërisë", ndërsa Elton Cefa u zgjodh si balerini më i mirë.
Albumi muzikor i vitit "Pranga malli” nga Irma Libohova, u përzgjodh si më i mirë i vitit, Inva Mula u përzgjodh si interpretuesja lirike e vitit në shfaqjen "Përrallat e Ofmanit”.
Juria akordoi çmim edhe për artistin pamor të vitit, i cili i shkoi piktorit Pashk Përvathi për ekspozitën personale në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa instrumentisti më i mirë u zgjodh pianistja Kristina (Petrollari) Laço.
Çmimi për librin studimor dhe enciklopedik i shkoi Pëllumb Xhufit për botimin "Shekulli i Voskopojës: (1669-1769)”, çmimin për librin artistik e mori Lindita Arapi për romanin "Vajzat me çelës në qafë”, ndërsa përkthyesja më e mirë u përzgjodh Jonila Godole për poemën "Elegji Duine” nga Rainer Maria Rilke.
Çmimet speciale u dhanë për kompozitorin e njohur Aleksandër Peçi, për gjithë krijimtarinë e tij mjaft të veçantë dhe kontributin në muzikën klasike shqiptare si dhe një çmim për përkthyesin Robert Shvarc, pas vdekjes.
Tashmë, e kthyer në traditë, për të kurorëzuar fituesit u ngjitën në skenë 24 personalitete të njohura të artit dhe shkencës si Ermir Krantja, Yllka Mujo, Edmond Tupja, Muzafer Korkuti, David Tukiçi, Reshat Arbana, Eva Alikaj, Vasjan Lami, Llaqi Nako etj.
Moderatorët e spektaklit ishin Enver Petrovci dhe Artan Imami të cilët shfaqën dhe anë të tjera të talentit të tyre si, Petrovci në kërcim dhe Imami në këngë. Performanca sollën dhe të ftuarit me pjesët e tyre artistike si, duetet e këngëtarëve të njohur Anjeza Shahini & Dren Abazi, Alban Skënderaj & Miriam Cani, apo interpretimi i dy poezive "Baladë qytetse” nga Migjeni si dhe "Dasëm e madhe” e Ali Asllanit nga aktori Reshat Arbana.
Akademia KULT përzgjodhi për të shtatin vit radhazi Çmimet "Kult”, të vetmet çmime kulturore kombëtare vjetore.
|