Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur të martën anëtaren e Parlamentit Evropian, Doris Pack, ndërsa me këtë rast eurodeputetja u shpreh se veriu është pjesë e pandashme e Kosovës dhe se barrikadat janë formë jodemokratike e protestës. Në njoftimin për media thuhet se temë kryesore e takimit ishte aktualiteti politik në Kosovë,vendosja e plotë e sundimit të rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës. Thaçi në takimin me anëtaren e Parlamentit Evropian, Doris Pack, hodhi poshtë zërat për siç tha ai "kinse Ahtisaari Plus”, duke thënë se Pakoja e Ahtisaarit nuk do të hapet dhe as nuk do të ndryshohet. "Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Pakoja e Presidentit Ahtisaari garantojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, gjithashtu ofrojnë standardet më të larta në Evropë për garantimin afirmativ të të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, u shpreh Thaçi. Anëtarja e Parlamentit Evropian, Doris Pack në takimin me kryeministrin Thaçi tha se veriu është pjesë e pandashme e Kosovës. "Barrikadat janë formë jodemokratike e protestës, pasi ato mohojnë të drejtën themelore të lirisë së lëvizjes”, theksoi Pack, duke shtuar se Pakoja e Ahtisaarit shërben si një platformë e cila garanton dhe ofron të drejtat më afirmative për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
|