Tiranë, 9 nëntor - Kostoja e jetesës së shqiptarëve u rikthye në rritje gjatë muajit të kaluar, pas pesë muajsh rënie graduale, bëhet e ditur nga Instituti i Statistikave. Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 0.4 për qind gjatë tetorit në krahasim me shtatorin, ndërsa inflacioni vjetor ishte në shkallë 3 për qind. Tarifat e studimit në universitete janë rritur me 3.4 për qind, sipas INSTAT-it. Nafta dhe benzina u shtrenjtuan me 0.8 për qind si pasojë e një takse të re të vendosur nga qeveria.
Indeksi i grupit "Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 1.0 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 6.9 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet”.
Gjatë muajit tetor çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupin "qumësht, djathë e vezë” 1.0 për qind, "sheqer dhe ëmbëlsira” me 0.2, "vajra dhe yndyra” me 0.1 për qind etj.
|