Takimi mes zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe raportueses së
Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, është fokusuar në
bisedat rreth situatës politike dhe sigurisë në vend, dhe në veçanti për
rrjedhat e dialogut teknik.Lunacek, e cila është duke e
përgatitur raportin për Kosovën për Parlamentin Evropian, u interesua në
veçanti për sfidat e dialogut teknik, si dhe rrugët që mund të çojnë
deri tek rezultatet më të mira të këtij dialogu.
Zëvendëskryeministrja Tahiri nga ana e saj foli për përkushtimin e
Qeverisë së Kosovës, për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunime rajonale si
standarde për integrime evropiane, dhe poashtu vlerësoi performancën e
lartë dhe konstruktive të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, dhe
kontributin e dhënë për suksesin e këtij dialogu, në të mirë të
qytetarëve.
Tahiri kërkoi që Kosova të shpërblehet për konstruktivitetin në këtë
dialog, duke marrë marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian, me
ç’rast veçmas potencoi se duhet të gjendet konsensus në mesin e BE-së,
për të mbështetur progresin e Kosovës drejt BE-së.
Pos tjerash, bashkëbisedueset vlerësuan rastin e konsolidimit të
ligjit dhe rendit në tërë territorin e Kosovës, dhe dialogun për
liberalizmin e vizave, si dhe u pajtuan që integrimi sa më i shpejtë i
Kosovës dhe rajonit në Bashkimin Evropian është kusht esencial për
stabilitetin në rajon.
|