Data e raundit të ardhshëm të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të bëhet e ditur ditët e ardhshme, ndoshta pas seancës së Kuvendit të Serbisë në të cilën do të analizohet deklarata e qeverisë serbe për Kosovës, tha kreu i ekipit serb për bisedime me Prishtinën, Borislav Stefanovic. Ai tha se negociatat me BE-në për vazhdimin e dialogut po ecin në drejtim pozitiv. "Ne jemi të gatshëm që shpejtë t’i vazhdojmë bisedimet, dhe rendi i ditës do të përcaktohet kur të merremi vesh për datën e takimit të ri. Tash është e rëndësishme të gjenden zgjidhjet për Jarinjë dhe Bërnjak", tha Stefanovic në një intervistë për Vecernje Novosti. Ai thotë se është në kontakte të vazhdueshme me ndërmjetësin e BE në dialog, Robert Cooper, me të cilin sot ka folur nëpërmjet video-linkut. "Nuk jam në kontakt me Edita Tahirin. Bisedimet bëhen me bashkësinë ndërkombëtare. Ta shohim se në çka do të rezultojnë". Stefanovic thekson se është në interes të Serbisë që të ulet në tryezën e bisedimeve para 9 dhjetorit, kur Këshilli Evropian vendos për dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë. "Qëllimi ynë është që të vazhdojë dialogu, e parakusht për këtë është që të arrihet një marrëveshje e përshtatshme për pikëkalimet kufitare". Në kërkesat për shkarkimin e tij, të paraqitura nga bashkësia e komunave paralele të veriut të Kosovës dhe Partia Demokratike e Serbisë (DSS), Stefanovic është përgjigjur: "Do të ishte lehtë të heqim dorë nga çdo gjë. Unë nuk duan të merren me politika vogla dhe të jem në mesin e atyre që mbrojnë interesat e Serbisë me teori të thjeshta".
|