Prishtinë, 30 tetor – Dikasteret qeveritare dhe komunat që udhëhiqen nga partia e kryeministrit Hashim Thaçi do të jenë më përfitueset nga Draftbuxheti i 2012-s, në rast se nuk pëson ndryshime në Kuvend versioni i miratuar një ditë më parë në Qeveri. Kjo s’i ka kënaqur partnerët qeverisës e as opozitën që ka disa komuna.
Bazuar në këtë Projektbuxhet, një kopje të të cilit e ka "Koha Ditore”, më shumë mjete në dispozicion se në 2011-n do të kenë dhjetë komuna dhe gjashtë ministri të PDK-së. Kësisoj, vetëm katër prej dhjetë ministrive që i takojnë subjektit politik të kryeministrit kanë më pak buxhet sesa në vitin aktual fiskal. Në mesin e tyre është edhe Ministria e Financave, që vetë e ka hartuar Draftbuxhetin.
Dhe, pavarësisht kësaj, nuk kanë shprehur pakënaqësi me të tillë ndarje as dy njerëzit ndër më me ndikim në PDK, Hajredin Kuçi e Enver Hoxhaj, ndonëse në vitin e ardhshëm do të jetë më e lehtë arka e ministrive që përfaqësojnë për 1 milion, përkatësisht 2 milionë euro.
Njerëzit e PDK-së kanë folur në superlativ për shpërndarjen buxhetore.