Qeveria e Serbisë ka humbur kontrollin e veriut, të banuar me
shumicë serbe, në Kosovë. Rrugët janë barrikaduar dhe vendësit po
voziten me paqeruajtësit e NATO-s dhe Policinë e Bashkimit Evropian.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, i ka lutur kryetarët serbë të
komunave veriore që t’i hapin rrugët. Në Beograd, opozita e Serbisë
nuhat gjak. Kështu shkruan revista prestigjioze britanike The Economist, në një artikull të botuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
"Serbët e Kosovës kanë bllokuar rrugët, sepse duan të pengojnë
Policinë e Kosovës dhe doganierët nga stacionimi në dy pikat kufitare me
Serbinë. Për ta, ky do të ishte hapi i parë drejt pranimit të
pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008. Janë rreth 120 mijë
serbë në Kosovë, rreth një e treta e të cilëve jeton në veri. Pjesa
tjetër e Kosovës është e dominuar nga shqiptarët”.
"Për një të huaj, grumbujt e trungjeve nëpër rrugë paraqesin vetëm
një barrikadë. Por, për ish-jugosllavët ato evokojnë emocione komplekse.
Më 1990, serbët në rajonin e Krajinës, në Kroaci, filluan "revolucionin
e tyre të trungjeve”. Me bllokimin e rrugëve, ata nisën të ndërtojnë
shtetin e vogël të ndarë serb. Pas pesë vjetësh dhe pas një lufte të
mëvonshme, ata u dëbuan nga Krajina nga ana e armatës fitimtare kroate”,
shkruan The Ekonomist.
"Nuk duket se ka të ngjarë që trungjet në rrugët e Kosovës të çojnë
drejt një katastrofe të ngjashme. Por, disa analistë janë të shqetësuar
se bllokadat mund të kthehen në diçka të rrezikshme. Forca paqeruajtëse e
NATO-s, KFOR-i, dëshiron që t’i heqë barrikadat. Dhjetëra protestues
janë lënduar në përleshje, edhe pse KFOR-i deri më tani është përmbajtur
nga përdorimi i forcës”.
"Patriarku i Kishës Serbe i ka mbështetur protestuesit. Për të keqen e
Tadicit, shumica e liderëve të serbëve të veriut të Kosovës vijnë nga
partitë opozitare. Tadici dëshironte të fitonte kandidaturën e BE-së, e
cila do t’i ndihmonte që të rifitonte në zgjedhjet e pranverës. Opozita
shpreson saktësisht të kundërtën. Gjermania dhe Franca nuk po nguten për
zgjerimin e mëtejmë të BE-së. A mund të dalë Tadici nga ky kënd i
ngushtë? Ai është politikan i zoti, por hapësira për manovrim i është
kufizuar. Dhe, po qe se një serb vritet nga buldozerët e KFOR-it, të
gjitha bastet bien”, thuhet ndër të tjera në këtë artikull.
|