Situata në veri të Kosovë mbetet e pandryshuar. Serbët vazhdojnë të qëndrojnë në barrikada e të gjitha automjete drejtohen nëpër rrugët alternative. Në Jarinjë e Bërjnak që nga vendosja KFOR-it dhe e doganierëve të Kosovës nuk ka kaluar asnjë automjet e as udhëtar, transmeton Radio KiM. Në të gjitha drejtimet rrugore në veri edhe më tej janë barrikadat. Ato janë hequr nga njëra korsi e rrugës Mitrovicë deri te pika kufitare Bërnjak. E ashtuquajtura kujdestari në 18 barrikada ndërrohet në çdo katër orë, e për shkak të temperaturave të ulëta, zjarri ndizet në shatorët e vënë te barrikadat. Disa nga "kujdestarët” theksojnë se aty do të qëndrojnë derisa nga pikat kufitare të mos largohen doganierët e Kosovës. Afër barrikadave në Rudare, Zupçë dhe në Jagnjenicë gjenden nga dy automjete të blinduara të KFOR-it, mu përballë të të ashtuquajturve kujdestarë. Gjatë natës KFOR nuk ka lëvizur me automjete ndërsa furnizime ushtarëve e ka bërë me helikopterë, transmeton Koha. Ndërkaq, treni nga Serbia për në Zveçan qarkullon pa pengesa dy herë në ditë. Në Mitrovicë situata është e qetë. Institucionet shtetërore që kontrollohen nga Beogradi, entet publike dhe objektet hoteliere punojnë si zakonisht. Kështu edhe në shkolla në fakultete, mësim po zhvillohet normalisht dhe me programet e direktivat e Serbisë.
|