Nisja e dialogut ndërmjet Brukselit dhe Prishtinës për procesin e
liberalizimit të vizave nuk i garanton Kosovës një datë, qoftë të
përafërt, se kur kosovarët do të udhëtojnë pa viza në Evropë. Qeveria
në Prishtinë ka përsëritur në shumë raste se Kosova ka përmbushur
kriteret e parapara, por në bazë të deklaratave të zyrtarëve nga
Brukseli, procesi parashihet të marrë më shumë kohë.
Gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, raportuesja për Kosovën në
Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, deklaroi se dialogu për vizat
fillon në dhjetor, por askush, sipas saj, nuk mund ta dijë se sa kohë
nevojitet deri në liberalizimin e vizave për kosovarët.
Nga fillimi i javës tjetër, Kosova pritet të përmbushë një nga
kriteret për liberalizimin, pasi që Ministria e Punëve të Brendshme ka
konfirmuar se nga e hëna do të fillojë me lëshimin e pasaportave
biometrike. Ndërsa, një nga sfidat e përmbushjes së kritereve është edhe
zbatimi i marrëveshjeve që Kosova ka me vendet evropiane për ripranim
dhe riatdhesim.
Ilhami Gashi, sekretar në Ministrinë e Brendshme, tha për Radio
Evropa e Lirë se Ligji për ripranim po zbatohet nga ana e institucioneve
të Kosovës. Megjithatë, nënvizoi ai, ka edhe sfida të shumta, pasi
ligji fillimisht kërkon përfshirjen e shumë institucioneve dhe të
niveleve të pushtetit. Kurse, shqetësimi është edhe më i madh në rastet
kur të kthyerit nuk kanë as strehë mbi kokë.
Në dhjetor, kur edhe mund të nisë dialogu me Brukselin, pritet që
Kosova të marrë edhe udhërrëfyesin e BE-së dhe më pas, mbase, do t’i
bëhet një vlerësim më i saktë i përparimeve dhe sfidave që ka përpara
deri në liberalizimin e vizave.
|