Main » 2011»November»9 » Qeveria e Kosovës, një plan të ri për Veriun e Kosovës
9:59 AM
Qeveria e Kosovës, një plan të ri për Veriun e Kosovës
Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me misionet diplomatike në Prishtinë, po përgatisin një plan të ri për Veriun e Kosovës, i cili parashikon ndërprerjen e financimit të strukturave paralele nga Serbia, dhe zbatimin e strategjive dhe iniciativave në mënyrë që të institucionalizojë këtë pjesë të Kosovës.
Plani do të quhet "Plani i përgjithshëm për Veriun. Përfshirje e Re Evropiane”.
Ky dokument pason edhe dy dokumente të tjera të cilat u hartuan vite më parë por sipas analistëve nuk dhanë rezultat, si "Strategjia gjithëpërfshirëse për veriun” dhe "Plani i Ahtisarit”.
Ky plan i ri pritet të jetësohet kur Serbia të marrë ose jo statusin e vendit kandidat për në BE në dhjetor, kusht i vënë nga vetë Këshilli i Evropës.
Në këtë dokument vërehet fryma e logjikës së "Planit të Ahtisarit” dhe në një prej pikave të saj thuhet se Komisioni Evropian njeh indirekt të drejtën e Kosovës për të administruar vetë pjesën veriore si territor të saj.
"Koha Ditore” shkruan se dokumenti është hartuar nga qeveria e Kosovës në koordinim me ambasadat e shteteve mike dhe zyrën e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtarë.