Pesëmbëdhjetë, nga njëzet kamionët e kompanisë "Eurokop” nga Rashka, që i kishte sekuestruar Policia e Kosovës në fund të shtatorit, i janë kthyer pronarit, ka deklaruar zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti. Sipas medieve serbe, kamionët janë "liruar” meqë në raportin e Interpolit është dëshmuar se dokumentacioni i tyre ishte në rregull, për çka dyshohej. Kamionët që mbaheshin në terminalin doganor në pjesën jugore të Mitrovicës nga 21 shtatori, e kanë lëshuar territorin e Kosovës përmes pikëkalimit kufitar me Malin e Zi, Kullë. Është paralajmëruar se edhe pesë kamionët e tjerë do të lirohen. Shoferët e këtyre kamionëve, për shkak të hyrjes ilegale në Kosovë, pasi kanë kaluar nga disa ditë në burg, janë detyruar të paguajnë ndëshkime dhe janë dënuar me ndalesë hyrjeje në Kosovë për një vit. Me këta kamionë, njoftohet se transportohet koncentrat plumbi nga Trepça për një firmë zvicerane.
|