Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli është duke vazhduar përpjekjet për lirimin e pilotit kosovar, James Berisha, thuhet në njoftim të Zyrës së Pacollit. Në njoftim thuhet se pas takimit me presidentin e Eritreas në New York, dhe këshilltarin e presidentit, i cili erdhi në Prishtinë, zëvendëskryeministri Pacolli është duke planifikuar një udhëtim në këtë shtet afrikan, për të përmbushur misionin e lirimit të Berishës. "Qeveria e Kosovës siguron familjen e pilotit Berisha dhe gjithë qytetarët e Kosovës, se në një të ardhme shumë të afërt, piloti James Berisha do t’i kthehet familjes dhe Kosovës”, thuhet në njoftim. Ndryshe, mediat të mërkurën kanë raportuar se piloti Berisha pas paraburgimit në Eritre është harruar nga institucionet e vendit. James Berisha, piloti shqiptaro-amerikan gjendet i paraburgosur diku në Eritre të Afrikës. Familja e tij ka një vit që nuk e ka parë, kurse për herë të fundit ka folur më 15 gusht në telefon. Ata kërkojnë angazhim më të madh nga shteti për lirimin e tij.
|