Zgjedhja e presidentit nga ana e qytetarëve mund të mos jetë risia e vetme në ndryshimet e ardhshme Kushtetuese, pasi që qytetarët, gjatë debateve publike, kanë mbështetur opsionin e zgjedhjes së një zëvendëspresidenti. Bazuar në debatet me qytetarë të Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës, kryetari i këtij Komisioni, Arsim Bajrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, nënvizon tri çështje për të cilat qytetarët kanë shprehur më shumë interesim. Bëhet fjalë për zëvendëspresidentin, çështjen e dyshtetësisë së presidentit dhe ajo e betimit para popullit të presidentit. Debatet publike pritet të përmbyllen më 4 nëntor në Prishtinë. Më pas, Komisioni do të mblidhet dhe do t’ua dërgojë propozimet edhe partive parlamentare, në mënyrë që propozimi para Kuvendit të jetë sa më konsensual dhe jo me dy alternativa. Arsim Bajrami thotë për Radio Evropa e Lirë se ai preferon që mendimi t’i kërkohet edhe Komisionit të Venecias. Lidhur me punën e bërë në komision dhe debatet publike, anëtarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se çështja tjetër që tani e pret Komisionin është arritja e konsensusit me partitë politike në lidhje me ndryshimet e propozuara. Te partitë politike deri më tani kishte dallime sa i përket dyshtetësisë së kandidatit të ardhshëm për president. Aleanca Kosova e Re e Behxhet Pacollit, mbështet kandidimin me dy shtetësi, përderisa ka opsione tjera me të cilat kërkohet që në momentin e zgjedhjes, presidenti i ardhshëm i Kosovës të ketë vetëm shtetësinë e Kosovës. Vjosa Osmani megjithatë nuk e sheh këtë si një sfidë për amendamentet që do të propozohen në Kuvend. Komisioni Parlamentar për ndryshimet kushtetuese beson se do ta përfundojë me kohë punën, në mënyrë që më pas Kuvendi me dy të tretat e votave t’i votojë këto ndryshime. Sipas marrëveshjes politike dhe Rezolutës në Kuvendin e Kosovës, pritet që ndryshimet të përfshijnë në vete edhe një amendament shtesë, me të cilin do të shpallen zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë, jo më larg se gjashtë muaj pas aprovimit të ndryshimeve nga Kuvendi.
|