Në takimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim
Thaçi me raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek,
kjo e fundit informoi se në Parlamentin Evropian më 22 nëntor do të
debatohet Raporti i këtij institucioni të BE-së mbi zhvillimet në
Kosovë. Në këtë takim, sipas njoftimit të Kryeministrisë
është diskutuar për proceset e rëndësishme, nëpër të cilat është duke
kaluar Kosova, si në kontekstin e brendshëm, ashtu edhe ne rrafshin e
integrimit evropian.
Thaçi ka falënderuar eurodeputeten për kontributin e saj dhe të
anëtarëve të Parlamentit Evropian lidhur me mbrojtjen e interesave të
Kosovës në Bruksel dhe e siguroi atë se Kosova do të bëjë përparim të
dukshëm në rrugën e integrimit.
Kreu i ekzekutivit theksoi se bazuar në përkushtimin institucional të
Kosovës për përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane
të integrimit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të
ndodhë shumë shpejt.
Ai ka konfirmuar që Republika e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet
faktor konstruktiv, duke respektuar vlerën e dialogut dhe të
bashkëpunimit.
Ndërkaq, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike
Lunacek ka shprehur optimizmin se qytetarët e Kosovës në një periudhë të
afërt do të gëzojnë lirinë e lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian.
Lunacek ka vlerësuar lartë rolin konstruktiv të Republikës së Kosovës
në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë,
duke konfirmuar mbështetjen e fuqishme nga ana e anëtarëve të
Parlamentit Evropian për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit.
Ajo informoi kryeministrin Thaçi se në Parlamentin Evropian më 22
nëntor do të debatohet Raporti i këtij institucioni të BE-së mbi
zhvillimet në Kosovë.
|