Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa ka pritur në takim komandantin e Forcës se Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Sylejman Selimi. Në këtë takim u tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, do të jetë në gjendje që mbi supet e saja të marrë sigurinë e vendit dhe misionet e ndryshme jashtë vendit. Mustafa përgëzoi komandantin e FSK-së për punën që ka bërë dhe shprehu gatishmërinë dhe përkrahjen e tij që kjo forcë të zhvillohet dhe ndërtohet sipas standardeve të NATO-së. "Në këtë drejtim keni kontribuar shumë pozitivisht dhe keni mbajtur një stabilitet brenda trupës. Kemi pasur raporte shumë të mirë ndërinstitucionale”, tha Mustafa, duke shtuar se FSK-në asnjëherë nuk duhet lidhur me politikën. Ndërkaq, gjenerallejtënant tha se FSK është aset i shtetit të Kosovës dhe është në rrugë të mirë të forcimit dhe pajiset më të gjitha elementet që duhet t’i ketë një forcë e sigurisë. Selimi tha se FSK aktualisht ka 2250 pjesëtarë, 800 pjesëtarë rezervë, 180 pjesëtarë të komuniteteve dhe 144 pjesëtare femra. Komandanti i FSK-së tha se kjo trupë ka një bashkëpunim të mirë me NATO-n, sidomos me ushtritë e vendeve të rajonit, gjegjësisht të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Qëllimi tha Selimi ka qenë që Forca e Sigurisë se Kosovës të kompletohet dhe të arrijë kapacitetin e planit operacional.
|