Main » 2011»October»31 » Mujota: Punimet në 38 kilometra të autostradës kanë përfunduar
8:53 PM
Mujota: Punimet në 38 kilometra të autostradës kanë përfunduar
Prizren/Therandë, 31 tetor - Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, i shoqëruar nga dy zëvendësministrat, Emin Krasniqi dhe Banush Pacolli, vizitoi autostradën Vërmicë-Merdar, si dhe u njoh nga afër me përfundimin e këtyre punimeve në 38 kilometrat e para të kësaj autostrade.
Pas vizitës së bërë, gjithë këtyre kilometrave të tashmë të përfunduara të kësaj autostrade, ministri Mujota në prononcimin e tij për media pohoi:” Qeveria e Kosovës dhe konzorciumi "Bechetl& Enka” si kompani punëkryese në Rrugën e Kombit, kanë dhënë zotimin publik se me 31 tetor të vitit 2011 do jenë gati 38 kilometra të kësaj rruge. Sot jemi këtu për të konfirmuar edhe zyrtarisht se punimet kanë përfunduar dhe se 38 kilometrat të autostradës janë gati për përdorim”.
Ministri Mujota punimet të cilat janë realizuar në këto autostradë i vlerësoi si jashtëzakonisht të suksesshme, dhe shtoi :” Është një histori suksesi në ndërtimin e Kosovës, një histori suksesi që do të vazhdojë edhe më tutje. Po punohet intenzivisht edhe në segmentin e 4 dhe të 5 dhe shpreh bindjen e plotë se do të punohet pa ndërprerë përgjatë gjithë kohës së paraparë për ndërtimin e autorstradës. Sot, kur jemi në këtë vend kur po e konfirmojmë përfundimin e punimeve të këtyre kilometrave, dua të falënderojë kompaninë punëkryese dhe të gjithë punëtorët për një punë të madhe, kompaninë mbikëqyrëse e cila po na siguronë për cilësinë e punimeve të autostradës sipas standardeve”.
"Ceremonia e hapjes zyrtare do të jetë me 12 nëntor,do të ketë pjesëmarrje të madhe të qytetarëve por edhe të personalitet të rëndësishme të vendit por edhe nga vendeve në rajon”, theksoi ministri Mujota.
Ndërsa menaxheri i këtij projekti, Darren Mort, tha se gjatë kësaj kohe është bërë një punë e jashtëzakonshme në gjithë këto muaj dhe mund të themi që kemi përfunduar.
Mort gjithashtu theksoi se ” kjo është vetëm fillimi sepse ne po punojmë në përfundimin e seksionit të katërt, gjithashtu në seksionin e pestë dhe do të punojmë në vazhdimësi deri në Prishtinë, kështu që suksesi jonë do të vazhdojë atje”.
Në ndërtimin e kësaj pjesë të Autostradës Vërmicë-Merdar, kanë punuar 3800 punëtorë, prej tyre dhe 70 % ishin vendorë, të cilët punuan në mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë të mundshme.