Nga data 3 - 5 nëntor 2011, në Pejë do të mbahet Konferenca e parë e Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të rajonit. Nikoqir i Konferencës është Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku. Në këtë konferencë do të marrin pjesë ministrat e mbrojtjes së vendeve të rajonit, si: Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Kroacisë, Sllovenisë, nga Komanda e SHBA-ve për Evropë, përfaqësues të NATO-s dhe delegacioni i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në konferencë do të diskutohen tema të bashkëpunimit rajonal, zhvillimi dhe integrimi i kapaciteteve të vendeve te rajonit për përballimin e situatave emergjente. Gjatë kohës së mbajtjes së konferencës do të ketë takime bilaterale midis ministrive pjesëmarrëse. Në hapje të punimeve të konferencës do të marrin pjese edhe presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
|