Pejë, 1 nëntor - Rreth 800 mijë euro do të kushtojë ndërtimi i objektit të ri të Prokurorisë Publike në Pejë. Këtë vlerë mjetesh e premtoi ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ditën e martë në Pejë. Ministri Yagcilar me kryetarin e Pejës, Ali Berisha, me bashkëpunëtorët të martën kanë dalë në vendin e punimeve të objektit të Prokurorisë Publike, me ç’rast kanë premtuar se ato procedura, të cilat kanë penguar vazhdimin e punimeve, do të mënjanohen. Ministri Jagcilar, duke theksuar se bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm për sundimin e ligjit, rikujtoi disa çështje a probleme teknike dhe pronësore që duhet të eliminohen që të vazhdojnë punimet”. Kryetari i Pejës, Ali Berisha, ka shfaqur gëzimin, për, siç u shpreh ai, se "më në fund qeveria ka kthyer kokën edhe nga kjo komunë, të cilën e drejton një parti tjetër”.
Shefi i Divizionit të KEK-ut në Pejë, Idriz Ibraj, premtoi se së shpejti pengesa që është e lidhur me energjinë elektrike do të eliminohet. "Pasi pengesë për të vazhduar punimet në këtë vend është edhe një nënstacion elektrik, ai së shpejti do të zhvendoset nga zona e kantierit”, premtoi Ibraj.
|