Ministri britanik për çështje evropiane, David Lidington, ka thënë se për vazhdimin e integrimeve evropiane të Serbisë, rëndësi primare ka dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. "Vazhdimi i dialogut dhe zhvillimi i mëtejshëm i tij janë prioritete absolute", ka thënë ai për mediat e Beogradit, duke shtuar se dialogu duhet të rinisur sa më shpejt të jetë e mundur. "Dua që Mbretëria e Bashkuar të jetë në pozicionin që ta mbështes me entuziazëm Serbinë në marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, por kjo varet se si Serbia do të përgjigjet në mendimet e Komisionit Evropian". I pyetur nëse bëhet fjalë për nevojën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ministri britanik tha se "vlerësimi i KE-së e bën të qartë se çështja e marrëdhënieve me fqinjët është e domosdoshme". "Nuk pres që presidenti ose ndonjë qeveri në Beograd të nisë të dërgojë nesër ose pasnesër ambasadorët në Prishtinë, e as vitin e ardhshëm, por mendoj se krijimi i marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët nuk është diçka që është kërkuar vetëm nga Serbia, por nga çdo vend që dëshiron të bashkohet me BE". Ministri britanik shtoi se Komisioni Evropian i bëri thirrje Beogradit që "seriozisht të angazhohet në dialogun me Prishtinën" dhe të "zbatojë një numër të marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të kaluar dhe që kjo të bëhet menjëherë, para dhjetorit". Sipas tij, kolegët e tij dhe ai gjithashtu vazhdimisht flasin se udhëheqja e Kosovës duhet të gjejë një mënyrë për t’u afruar me serbët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës. Ai nuk mendon se çështja e veriut të Kosovës është "diçka që thjesht mund të vonohet përgjithmonë", duke shtuar se është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se kjo zonë do të përfitojë nga integrimi evropian. "Të dyja palët duhet të lëvizin. Është në interesin e të gjithëve - qofshin serbë, shqiptarë apo anëtarët tjerë të pakicave - që të arrihet progresi, sepse tani kemi një status quo të tensionuar politike, papunësi të lartë, rroga të ulëta, një ndjenjë të varfërisë”.
|