Main » 2011»November»1 » Letra e UEFA-s: Ja pse ndeshja Kastrioti-Vllaznia u kurdis!
8:05 PM
Letra e UEFA-s: Ja pse ndeshja Kastrioti-Vllaznia u kurdis!
Zurich, 1 nëntor - "Kemi arsye të besojmë se ndeshja Kastrioti-Vllaznia, e luajtur më datë 2 tetor dhe e përfunduar me rezultatin 2-1 ishte e kurdisur për baste. Intensiteti i basteve të vendosura për fitoren e skuadrës vendase dhe mundësinë që të realizoheshin tri gola në këtë ndeshje nuk justifikohen nga tradita mes dy skuadrave, apo nga forma momentale e dy ekipeve”, transmeton portali sportiv shqiptar SportEkspress.
Është ky thelbi i një letre që UEFA i ka nisur pak ditë më parë, Federatës Shqiptare të Futbollit. Letra vë në dijeni Federatën për këtë ndeshje të dyshuar, duke e ftuar në mënyrë indirekte të nisë hetime në lidhje me të. Letra është e gjatë pesë fletë të formatit A4 dhe përveç tekstit që u perifrazua më sipër, përmban edhe grafikë të ndryshëm me të dhëna që kompani të ndryshme bastesh, me qendër në Evropë dhe në Azi i kanë dhënë UEFA-s për të ilustruar ndryshimet e kuotave.
Në Azi, atje ku pranohen shuma më të mëdha për një ndeshje, bastet e luajtura për fitoren e Kastriotit dhe mundësisë që gjatë 90 minutave do të shënoheshin të paktën tre gola kanë qenë të jashtëzakonshme. Shumë më të mëdha sesa një ndeshje e zakonshme e kampionatit shqiptar.
"Për të gjitha sa më sipër ne kemi arsye të besojmë që ndeshja nuk ka qenë e pastër dhe se rezultati i saj është pilotuar për arsye të fitimit të këtyre basteve”, mësohet të jetë shkruar në letrën e UEFA-s kundrejt FSHF-së. Edhe pse Federata nuk mund të detyrohet nga UEFA që të hapë një hetim ajo ka thirrur dy inspektorët e saj dhe ka urdhëruar fillimin e hetimeve. Dy inspektorët kanë nisur menjëherë nga puna, por pavarësisht evidencave të UEFA-s do të duhet një mrekulli që të zbulohet kurdisja. Më së paku do të duhet të dalë një "I penduar”. Në realitetin e futbollit shqiptar shanset që kjo të ndodhë janë pranë zeros.