Prishtinë, 1 nëntor - Oda Ekonomike e Kosovës organizoi sot një takim me temë "Politikat fiskale, sfida të zhvillimit ekonomik”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të lartë të bizneseve kryesore në Kosovë si dhe drejtues të qeverisë dhe të agjencive kryesore të doganave dhe tatimeve.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu tha para pjesëmarrësve se asgjë nuk mund ta reduktojë rolin e biznesit në përmirësimin e shanseve të zhvillimit të vendit dhe se këto shanse fillojnë tek politikat fiskale, të cilat nxisin investimet dhe garantojnë rritjen ekonomike, ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, rikujtoi se bashkëpunimi është rruga e vetme për përmirësimin e mjedisit ekonomik të vendit.
Përfaqësuesi japonez i Tobacco International, ambasadori Kent Brown, i ftuar nderi në këtë takim, tha se Kosova sot ka nevojë të përfitojë nga përvoja botërore e aktorëve globalë të tregut si JTI. Sipas tij, JTI është për Kosovën një dëshmitar i rëndësishëm i pjekurisë së tregut në nivel politik dhe i rritjes ekonomike të vendit.
"JTI zotërohet për 50% nga Ministria Japoneze e Financave dhe sjell sot në Kosovë përvojën e një vendi të vogël, të integruar me shumë sukses në tregjet globale, përvojën e një kulture të respektit ndaj ligjit dhe përvojën e një shoqërie që punon në 120 vende të botës” – tha Alban Bala nga COMPORT shpk – Tiranë, bashkëorganizator i këtij takimi.
Përfaqësues të lartë të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës, drejtori i përgjithshëm i doganave, zyrtarë të lartë të administratës tatimore të Kosovës, diskutuan mbi përmirësimet e nevojshme duke pranuar nevojën që Kosova të ngrejë profilin e saj konkurrues në rajon.
|