Prishtinë, 29 tetor – Zëvendëskryeministrja kosovare, Edita Tahiri, dhe
udhëheqësi i ekipit serb në dialogun teknik me Kosovën, Borisllav
Stefanoviq, do të duhet të takohen sërish gjatë muajit nëntor. Burime
diplomatike i kanë thënë gazetës se arritja e konkluzioneve edhe në tri
fusha: energjetikë, telekom dhe prezantim të Kosovës në nismat
regjionale duhet të realizohet para dhjetorit. Në të njëjtën kohë, sipas
të njëjtave burime, arritja edhe e tri konkluzioneve si dhe zbatimi i
konkluzioneve të arritura më parë, do ta rikthente besimin mes palëve,
të dëmtuar rëndë pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për
Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ka konfirmuar për
"Kohën Ditore” se qëllimi i ekipit të lehtësuesit Cooper është që palët
të rifillojnë bisedimet gjatë nëntorit.
Burimet diplomatike kanë shpjeguar për gazetën edhe detaje të tri temave
që do të diskutohen, e për të cilat tashmë janë arritur draft
konkluzione të hartuara nga ndërmjetësi Cooper. Kosova, sipas këtyre
konkluzioneve, do të paraqitet në nismat rajonale të bashkëpunimit si
Kosova, as si republika e Kosovës që e ka kërkuar pala kosovare, e as si
Kosova 12/44, që është propozuar nga pala serbe. Sipas të njëjtave
burime, dialogu do të mund të vazhdojë pasi që të jenë hequr bllokadat
në veri të Kosovës dhe tensionet të kenë rënë.
Më shumë rreth rifillimit të dialogut Kosovë –Serbi lexoni sot në "Koha Ditore”