Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews e ka bërë të qartë se nëse problemi në veri nuk zgjidhet me anë të dialogut atëherë KFOR-i do të veprojë sipas rrethanave në terren. Këtë e ka transmetuar për Radio Kosovën, zëdhënësi i KFOR-it, Kolonel Uve Novicki. Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, lidhur me situatën në veri të vendit, gjithashtu tha se dialogu është mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemit në veri. "Komandanti i KFOR-it e tha dje në mënyrë të qartë se ai dëshiron ta zgjidhë problemin me dialog. Nëse dialogu nuk është i suksesshëm, atëherë ai do të përdorë forma të tjera. Por, për ne, kryesore është që të përdoret dialogu”, tha Novicki. Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në rajonin e Mitrovicës, Policia e Kosovës nuk ka regjistruar ndonjë incident që do të rrezikonte sigurinë. Megjithatë, barrikadat mbesin ende nëpër rrugët e veriut, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. Lidhur me kthimin e një konvoji të KFOR-it mbrapa nga ana e serbëve, Novicki tha se nuk ka ndonjë informacion të tillë, por, megjithatë, KFOR-i është duke bërë hetime rreth këtij rasti.
|