Trupat e KFOR-it, rreth orës dy orë në mëngjes, kanë vënë kontrollin mbi një barrikadë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë. Ushtarët e forcave ndërkombëtare kanë shtrirë telin gjemborë para barrikadës dhe në këtë mënyrë kanë bllokuar rrugën Leposaviq - Rashkë. Gjatë aksionit, KFOR-i përdori gaz lotsjellës për të detyruar serbët që të largohen nga barrikada, raporton Tanjug. Dy serbë thuhet se janë dërguar në një bazë të KFOR-it në Jarinje për një orë e gjysmë, për t’u liruar më vonë. Kryetari i komunës paralele të Leposaviqit, Branko Ninic, në një deklaratë për Tanjug ka thënë se serbët e veriut të Kosovës "do të vazhdojnë kundërshtimin paqësor ndaj instalimit të institucioneve të Prishtinës në pikëkalime”. Ninic tha se trupat e KFOR-it "pa arsye përdorën gazin lotsjellës” dhe se "qytetarët nuk bëjnë rezistencë ndaj KFOR-it dhe organizatave tjera ndërkombëtare, por vetëm ndaj institucioneve të Kosovës”. KFOR-i ka bllokuar edhe dy rrugë alternative pranë Jarinjës dhe lumit Ibër, që çojnë nga Leposaviqi në Rashkë. Pas aksionit të KFOR-it, serbët kanë shkarkuar disa kamionë me zhavorr për të krijuar një barrikadë të re. Ata aktualisht janë rreth njëqind metra larg nga barrikada e vjetër. Pas aksionit, ushtarët e KFOR-it kanë dalë me disa automjete nga baza "Notting Hill", për t’u pozicionuar në rrugën magjistrale të Mitrovicës.
|