Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot Raportuesin e Komitetit për Çështje Politike të Këshillit të Evropës mbi situatën në Kosovë, Bjorn von Sydow. Jahjaga e njoftoi bashkëbiseduesin e saj me zhvillimet në vend. Ajo tha se Kosova synon përmbushjen e të gjitha standardeve për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare e rajonale. "Stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti në gjithë rajonin janë vizion i qartë i Kosovës”, ka thënë Jahjaga, Presidentja shtoi se mosmarrëveshjet në rajonin e Ballkanit duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe respektimit të integritetit territorial të secilit vend. "Stabilizimi i gjendjes në veriun e Kosovës do të ndihmojë qytetarët e komunitetit serb. Barrikadat ose ndarja e Kosovës nuk janë rruga e integrimeve evropiane”. Sydow shfaqi interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve. Ai tha se Kosova ka një popullatë të re, me potencial të madh, ndaj i duhet zhvillim më i madh ekonomik. Sydow shfaqi interesim edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjet praktike të interesit të përbashkët. Sipas tij, të dyja palët duhet të tregojnë më shumë përkushtim për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.
|