Prishtinë, 1 nëntor - Kryetari i Prishtinës, dr. Isa Mustafa ka pritur në takim komandantin e Forcës se Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Sylejman Selimi.
Në këtë takim u diskutua për ngritjen dhe zhvillimin e Forcës se Sigurisë së Kosovës, si një forcë e cila në ardhmen e afërt do të jetë në gjendje që mbi supet e saja të marrë sigurinë e vendit dhe misionet e ndryshme jashtë vendit.
Kryetari Mustafa përgëzoi komandantin e FSK-së për punën që ka bërë dhe shprehu gatishmërinë dhe përkrahjen e tij që kjo forcë të zhvillohet dhe ndërtohet sipas standardeve të NATO-së.
"Në këtë drejtim keni kontribuar shumë pozitivisht dhe keni mbajtur një stabilitet brenda trupës. Kemi pasur raporte shumë të mirë nder-institucionale”, tha kryetari Mustafa duke shtuar se FSK-në asnjëherë nuk duhet lidhur me politikën.
Gjenerallejtënant Selimi e informoi kryetarin Mustafa më gjendjen e tanishme të trupave të FSK-së, përgatitjen dhe gatishmërinë e tyre. Ai tha se FSK është aset i shtetit të Kosovës dhe është në rrugë të mirë të forcimit dhe pajiset më të gjitha elementet që duhet ti ketë një force e sigurisë.
Gjenerallejtënant Selimi tha se FSK aktualisht ka 2250 pjesëtarë, 800 pjesëtarë rezervë, 180 pjesëtarë të komuniteteve dhe 144 pjesëtare femra.
Komandanti i FSK-së tha se kjo trupë ka një bashkëpunim të mirë me paktin e NATO-së, e sidomos tha se ka një bashkëpunim me ushtritë e vendeve të rajonit, sidomos me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Qëllimi ynë tha Gjenerallejtënant Selimi ka qenë që Forca e Sigurisë se Kosovës të kompletohet dhe të arrij kapacitetin e planit operacional. Gjeneral Selimi theksoj se ai me punën e tij deri tash është angazhuar që FSK ti arrij këto kapacitete, ndërkohë që tha se tani është koha që në krye të FSK të vijnë njerëz të rinj.
|