Main » 2011»October»29 » FOL: Dy huqjet e Agjencisë Kundër Korrupsionit
6:53 PM
FOL: Dy huqjet e Agjencisë Kundër Korrupsionit
Prishtinë, 29 tetor - Lëvizja FOL iu ka kundërpërgjigjur sot reagimit
të Agjencisë Kundër Korrupsionit, të bërë kundër raportit të saj
krahasues mbi deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë për
vitet 2010-2011. Në kundërpërgjigjen e FOL thuhet:
Para dy dite,
Lëvizja FOL publikoi raportin e saj krahasues mbi deklarimin e pasurisë
së zyrtarëve të lartë publikë për vitet 2010-2011. Mirëpo, pas
publikimit të këtij raporti, Agjencia (Kundër) Korrupsion, përmes një
komunikate të saj për media, reagoi për, siç thuhej, disa "gabime
logjike dhe matematikore që ky raport përmban”.
Në këtë kuptim,
Lëvizja FOL dëshiron të sqarojë opinionin publik se të dyja çështjet që
kjo Agjenci i ka adresuar janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme:
1.
Në lidhje më deklarimin e pasurisë së shefit të Agjencisë, Hasan
Pretenit. Bazuar në ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e
Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, gjegjësisht sipas nenit 3, pika
1.1.9, udhëheqësit e agjencive duhet të deklarojnë pasurinë e tyre në
Agjencinë (Kundër) Korrupsionit. Pra, ky nen dhe kjo pikë përfshin edhe
z. Preteni që të bëjë deklarimin e pasurisë së tij në këtë institucion.
Në ndërkohë, reagimi i Agjencisë thotë se z. Preteni e ka bërë
deklarimin e tij në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të këtij
institucioni. Nëse do të ishte kështu, atëherë si ndodhi që Preteni
deklarimin në 2011 të bëjë në bazë të këtij ligji që ka hyrë në fuqi në
shkurt të 2010? Andaj, kjo është anti-ligjore, sepse në momentin që ka
hyrë në fuqi ky ligji për DKPZLP, e ka abroguar dispozitën ligjore të
ligjit paraprak për çështjen e deklarimit të zyrtarëve të këtij
institucioni. Me këtë rast, z. Preteni i ka shkelur dispozitat e këtij
ligji, dhe për këtë do të duhej të jepte përgjegjësi publike.
2.
Çështja e dytë që Agjencioni vë në dyshim raportin e Lëvizjes FOL është
edhe deklarimi i pasurisë së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup
Krasniqi. Sipas formularëve që Agjencia i ka publikuar në ueb-faqen
zyrtare të saj, shihet qartazi që z. Krasniqi e ka publikuar të njëjtën
pasuri, por me vlera të ndryshme për vitet 2010 dhe 2011. (shih të
bashkangjitur formularët që janë nxjerrë nga ueb-faqja e saj). Prandaj,
një reagim i tillë, jo vetëm që nuk është në funksion të këtij misioni,
por, përkundrazi, i kontribuon edhe më shumë rritjes së korrupsionit dhe
shtrirjes së gjerë të tij në institucionet publike.
Ne i bëjmë
thirrje Agjencisë (Kundër) Korrupsion, që në vend se të merret me
mbrojtjen e zyrtarëve të përfshirë në afera të ndryshme korruptive, të
verifikojë prejardhjen e pasurisë së këtyre zyrtarëve, të cilët po e
dëmtojnë interesin e përgjithshëm të qytetarëve të republikës tonë.
Lëvizja
FOL në reagimin e vet ka bashkangjitur edhe ligjin DKPZLP, si dhe
formularët të deklarimit të pasurisë së Jakup Krasniqit, kryetar i
Kuvendit të Kosovës.