Drenas/Malishevë, 31 tetor - Sot, në fshatin Shtuticë të komunës së Drenasit, u bë përurimi i planëzimit të oborrit të Shkollës fillore "Azem Bejta”. Në përurimin e këtij projekti, morën pjesë: zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli, gjeneralbrigade Imri ILazi, gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, nënkolonel Enver Dugolli, Departamenti për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak (BCU), përfaqësues të komunës së Drenasit, nxënësit dhe arsimtarët e shkollës.
Projektin e kanë realizuar pjesëtarët e Batalionit të Xhenios të FSK-së, të cilët kanë bërë planëzimin e oborrit, me makineri të rëndë kanë rrafshuar tërë oborrin e shkollës dhe kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve edukativo-arsimore të nxënësve të kësaj shkolle. Ky projekt është realizuar në kuadër të bashkëpunimit të FSK-së, komunitetit dhe komunës. Punën e pjesëtarëve të FSK-së e kanë përshëndetur edhe drejtori i shkollës, përfaqësuesi i komunës së Drenasit, nxënësit dhe arsimtarët e shkollës. Ndërsa zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli pasi ka përshëndetur, nxënësit dhe arsimtarët e shkollës, ka thënë se veprat e tilla arrihen me bashkëpunimin të mirë të FSK-së, dhe komunitetit dhe komunave. Kjo vepër e FSK-së, është me një rëndësi të madhe për nxënësit dhe arsimtarët e kësaj shkolle. Kur ne arrijmë t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë, ne ndihemi shumë të lumtur. Zëvendësministri Veseli premtoi se edhe në të ardhmen, FSK-ja do të angazhohet për realizmin e veprave të tilla, atje ku kanë nevojë qytetarët tanë.
Po sot, zëvendësministri Shemsi Veseli së bashku me gjeneralët Imri Ilazin, Gëzim Hazrollin dhe kryetarin e komunës së Malishevës, Isni Kilaj kanë vizituar projektin që FSK-ja po e kryen në Fshatin e Ri, të kësaj komune, ku po e bënë zgjerimin e rrugës, 2 kilometra të gjatë, si dhe rrafshim dhe shtruarjen me zhavorr, rrugë kjo që do të lehtësojë qarkullimin e banorëve të këtij fshati.