Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ka provuar sot në mesditë që me autokolonën ku kishte edhe pjesëtarë të EULEX-it, të kalojë përmes Zupçit për të shkuar në pikëkalimin kufitar në Bërnjak. Por, ai u kthye drejt pjesës jugore të Mitrovicës, pasi që serbët nuk e kanë lejuar kalimin e EULEX-it. Me komandant i KFOR-it ishte edhe zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes. Serbët, raporton Tanjug, ishin të gatshëm ta lejojnë kalimin e KFOR-it, por jo edhe të EULEX-it. Drews ka biseduar për rreth 15 minuta me nënkryetarin e komunës paralele të Zubin-Potokut, Srdan Durovic, në tentimin që të bindet popullata që pos KFOR-it të lejohet edhe kalimi i stafit të EULEX-it. Durovic ka thënë se automjetin e EULEX-it nuk mund ta lejojnë të kalojë para se "ky mision të distancohet nga institucionet e Kosovës dhe të veprojë neutral”. Drews edhe më këtë rast ka kërkuar liri qarkullimi për të gjithë përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. "Kjo është diçka që edhe ne e duam, por pa praninë e institucioneve të Prishtinës në veriun e Kosovës”, ka thënë Durovic. Lajmi se në drejtim të Zupçit është drejtuar edhe EULEX-i, ka bërë që serbët të mblidhen edhe te ura kryesore e Ibrit, në pjesën veriore të Mitrovicës.
|