Institucioneve të Kosovës duket se u është zbehur interesimi në fushën e lobimit. Njohjet për vendin kanë stagnuar sërish, e po ashtu edhe vizitat e zyrtarëve më të lartë nëpër kontinente të largëta. Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i emëruar në këtë post enkas për të lobuar, kohëve të fundit nuk ka njoftuar shumë për udhëtime që kanë për qëllim lobimin për njohje. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vazhduar vizitat nëpër kryeqytetet evropiane, por pa ndonjë rezultat konkret deri më tani. Zëvendësministri i jashtëm, Ibrahim Gashi, në një prononcim për Express ka mohuar se ka rënë interesi i aktiviteteve shtetërore për shtimin e numrit të njohjeve. Ai ka treguar se Pacolli sërish pritet t’i kthehet Afrikës, pa treguar se kur do të ndodhë një gjë e tillë dhe në cilat shtete. Presidenca dhe Ministria e Jashtme po përpiqen të bëjnë diçka në fushën e lobimit duke u përpjekur të shtojnë numrin e përfaqësuesve ndërkombëtar që do të lobojnë për njohje. Megjithatë, iniciative e Presidentes për formimin e Grupit "Miqtë e Kosovës” nuk ka shënuar përparime edhe pse ka filluar në gusht të këtij viti. Këshilltarja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Presidentes, Garentina Kraja, ka thënë se ky institucione është ende në fazën e përpilimit të planit operacional. Ndërsa, Gashi thotë se MPJ do t’i emërojë konsujt e nderit në ato vende që e kanë njohur Kosovën. Ish-ministri i jashtëm, Skënder Hyseni, thotë se "në mungesë të nismave efektive dhe veprimeve efektive në politikën e Jashtme, dilet dhe shpiken lloj-lloj substitutesh dhe improvizimesh për të lënë përshtypjen e aktiviteteve në politikën e jashtme”.
|