Tiranë, 31 tetor - Lajmi se kënga e Besa Kokëdhimës "Botën do ndryshoja”
në konkurrim të festivalit "Kënga Magjike 2001” është kopjuar nga
"Fucking perfekt” e këngëtares Pink, është përgënjeshtruar nga Ardit
Gjebrea dhe Pirro Çako, ky i fundit edhe kompozitor i kësaj kënge.
Dy
kompozitorët e njohur kanë reaguar me argumentet e tyre për të hedhur
poshtë thashethemet e këtyre ditëve, që mesa duket kanë për qëllim të
dëmtojnë imazhin e Besa Kokëdhimës, kënga e së cilës ka arritur rekord
dëgjueshmërie, duke e bërë kandidate potenciale për çmimin e madh të
"Këngës Magjike”.
"Kush është muzikant e di që të vjedhësh një
këngë duhen tetë masa të barabarta në dy këngët krahasuese. Aty nuk ka
as edhe një masë të vjedhur, është thjesht një këngë pop-rock, e cila ka
ajrin e këngëve të këtij stili, sikundër që shumë këngë pop, balada apo
hip-hop kanë të njëjtin stil dhe shpesh komentohen si të ngjashme”,
është shprehur Gjebrea, producent i "Këngës Magjike”, i prekur nga ky
thashethem që ai e konsideron të qëllimshëm dhe dashakeq, shkruan gazeta
shqiptare Standard.
Pirro Çako ka bërë të njohura partiturat e
dy këngëve, pra të Besës dhe të këngëtares së njohur amerikane Pink, në
mënyrë që, kushdo që pretendon se merr vesh nga muzika, të ulet e të
gjejë se ku qëndron vjedhja e supozuar.
Të gjithë jemi
dëshmitarë të faktit se shpesh shumë këngë janë mjaft të ngjashme dhe
duket sikur kanë të njëjtën vijë melodike, por ekspertët e muzikës thonë
se ato janë të ndryshme, gjykuar nga partiturat. E vetmja gjë e
pasqaruar mbetet të konstatohet se kush është autori i kësaj thashetheme
që mediet e kanë marrë shumë seriozisht... Ndoshta pikërisht për të mos
i dhënë më shumë rëndësi, vetë Besa nuk ka dashur të reagojë!