Nga Bashkimi Evropian janë dërguar në Prishtinë, Beograd dhe te EULEX-i variantet e zgjidhjeve të mundshme për "kontroll të përbashkët" doganor mes Kosovës dhe Serbisë, si çelës për të vënë në zbatim atë që është më e rëndësishme - lirinë e tregtisë dhe transportit të personave dhe automjeteve, si dhe vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë, raportojnë mediat serbe. Një marrëveshje mund të arrihet shpejt dhe dialogu të vazhdojnë menjëherë, thanë për Beta burimet diplomatike evropiane, duke shtuar se ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper, dhe zyrtarët kompetentë në Prishtinë e Beograd janë vazhdimisht në kontakt me linjë telefonike dhe video-linqe. Një zgjidhje alternative është bazuar në një propozim që delegacioni serb ka paraqitur gjatë raundit të fundit të dialogut në Bruksel, sipas së cilës në pikëkalimet kufitare duhet të jenë përfaqësuesit e EULEX-it, Prishtinës dhe Beogradit, por që kjo të jetë në përputhje me një marrëveshje të mëparshme - sipas modelit të regjimit doganor të UNMIK-ut. Pra, që të jetë neutral në aspektin e statusit të Kosovës. Kjo, sipas serbëve, do të thotë se nuk ka kufij, që paraqet "edhe qëllimin evropian”. BE-ja gjithashtu vlerëson se Beogradi do të paraqes një propozim përfundimtar, pasi ”për Kosovën fjalën do ta jap edhe Kuvendi i Serbisë”, me çka do të obligohen edhe serbët e veriut të Kosovës. Është gjithashtu e qartë se zgjidhjet rreth Kosovës dhe zhvillimi i dialogut janë kushte që Serbia ta fitojë statusin e kandidatit për BE, gjatë samitit të liderëve evropianë në dhjetor. Zgjidhja rreth doganave do të thoshte për Serbinë se me mjete politike është tejkaluar gjendja e tashme e ngarkuar me tensione dhe konflikte në veri. Sidoqoftë, sipas medieve serbe, ende pritet një formulë përfundimtare, përderisa për Beogradin është i papranueshëm formulimi menaxhimi i integruar i kufijve në Kosovë.
|