Prishtinë, 30 tetor - "Ahtisari Plus” për veriun e Kosovës duket i pashmangshëm. Pavarësisht kundërshtimeve që po i bëjnë vazhdimisht drejtuesit e institucioneve të Kosovës, se nuk do të ketë asgjë më shumë se Ahtisari për veriun, ndërkombëtarët megjithatë kanë paralajmëruar një "Ahtisari Plus”, shkruan gazeta "Zëri”. Këtë ide të shtunën e ka plasuar në opinion ambasadori i Mbretësisë së Bashkuar në Beograd, Michael Davenport.
Ai ka thënë se vendi i tij është i hapur për dialog për të ashtuquajturin plan "Ahtisaari Plus” për Kosovën, duke vënë në pah se ka shumë vend për mbrojtjen e pakicave dhe të interesave të Serbisë në Kosovë. " Jemi të hapur për çdo sugjerim lidhur me mënyrën se si mund të zbatohet ky plan. Unë mendoj se zbatimi mund të bëhet në mënyra të ndryshme. Sigurisht që ne jemi të hapur për atë lloj bisede”, ka thënë Davenport për mediet serbe. Ndonëse ai nuk ka dhënë detaje se çfarë përmban saktësisht ky plan, për zyrtarë të lartë shtetërorë të Kosovës, mbetet e papranueshme kjo ide.