Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) dënoi ashpër sulmin ndaj ekipit televiziv të RTV Iliria, duke konsideruar se çdo veprim i tillë është ndërhyrje direkte në punën e gazetarëve, gazetarinë e pavarur dhe lirinë e shprehjes. "Të martën, rreth orës 15:00, derisa po xhironin takimin mes Bordit Drejtues të kompanise rajonale të ujërave ‘Hidromorava’ dhe udhëheqësve të sindikatës së kësaj kompanie, njësia në Viti, punëtorët e së cilës kanë filluar një grevë për shkak të pagave, nga ana e Drejtorit të Bordit Drejtues, Avdyl Hasani, janë sulmuar gazetari i Radiotelevizionit ‘Iliria’, Emanuel Demaj dhe kameramani Artan Zejnullahu. Me këtë rast edhe është dëmtuar kamera SONY DSR 300”, ka njoftuar RTV Iliria. Sipas njoftimit, gazetari Demaj është në trajtim mjekësor. AGPK iu bën thirrje përfaqësuesve të institucioneve kompetente për ruajtjen e rendit dhe ligjit që të ndërmarrin të gjitha masat për sigurimin e një ambienti të favorshëm për punën e gazetarëve, garantimin e lirisë së shprehjes dhe ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarit, thuhet në kumtesën e AGPK.
|